IKShPK: Dy të vdekur dhe 21 raste të reja me HIV/AIDS këtë vit
V.Th / RTKLive
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se gjatë periudhës 1 janar – 17 korrik 2026, në Kosovë janë regjistruar 21 raste të reja me HIV/AIDS, ndërsa dy persona kanë humbur jetën si pasojë e kësaj sëmundjeje.
IKShPK ka bërë thirrje për qytetarët që të kryejnë testime të hershme, duke theksuar se diagnostikimi në kohë mundëson trajtim më efikas dhe menaxhim më të mirë të infeksionit.
“Testimi është i thjeshtë dhe konfidencial. Testimi i hershëm shpëton jetë”, thuhet në mesazhin informues të Institutit.
Sipas IKShPK-së, HIV është virus që sulmon sistemin imunitar, ndërsa AIDS paraqet fazën e avancuar të infeksionit HIV. Me terapi antiretrovirale, personat që jetojnë me HIV mund ta mbajnë virusin nën kontroll dhe të kenë jetë të shëndetshme.
Instituti ka rikujtuar se HIV transmetohet përmes marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, kontaktit me gjak të infektuar dhe nga nëna te fëmija gjatë shtatzënisë, lindjes ose ushqyerjes me gji. Ndërkohë, virusi nuk transmetohet përmes kontakteve të zakonshme sociale, si përqafimet, shtrëngimi i duarve, përdorimi i përbashkët i enëve apo pickimet e mushkonjave.
IKShPK ka apeluar për më shumë vetëdijesim, testim dhe mbështetje për personat që jetojnë me HIV, duke kërkuar gjithashtu eliminimin e stigmës dhe diskriminimit ndaj tyre.























