Policia shqiptare paralajmëron për mashtrime në WhatsApp
N.M. /RTKlive
Policia e Shtetit shqiprtar ka ngritur alarmin për rritjen e tentativave të mashtrimit përmes aplikacionit WhatsApp, duke u bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal ndaj mesazheve dhe linkeve të dyshimta.
Sipas njoftimit zyrtar, janë evidentuar raste kur përdoruesit marrin mesazhe me përmbajtje mashtruese, të cilat përmbajnë lidhje (linke) që synojnë marrjen e kontrollit të llogarive të tyre në WhatsApp. Mashtruesit përdorin pretekste të ndryshme, si votime në konkurse apo konfirmime veprimesh, për t’i bindur qytetarët të klikojnë në këto linke.
Pas klikimit, përdoruesve u kërkohet të fusin kodin 6-shifror të verifikimit të WhatsApp, i cili më pas përdoret nga autorët për të regjistruar llogarinë në një pajisje tjetër dhe për të marrë kontrollin e saj.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që: të mos klikojnë në linke të dyshimta, edhe nëse dërgohen nga persona të njohur; të mos ndajnë asnjëherë kodin e verifikimit të WhatsApp; të aktivizojnë funksionin “Two-Step Verification” (verifikimi me dy hapa) dhe të veprojnë menjëherë për rikuperimin e llogarisë dhe të njoftojnë kontaktet në rast dyshimi për komprometim.
Autoritetet theksojnë se mbrojtja e të dhënave personale mbetet thelbësore dhe kujdesi i përdoruesve është mbrojtja më e mirë ndaj mashtrimeve kibernetike.























