Rriten rastet me fruth në Kosovë, kërkohen masa parandaluese
BKT
Shëndetësi

Rriten rastet me fruth në Kosovë, kërkohen masa parandaluese

M.Sh/RTKLive

Instituti i Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale (IEJL-PShS) ka bërë thirrje për intensifikimin e masave parandaluese pas rritjes së numrit të rasteve me fruth në Kosovë, duke theksuar se situata kërkon reagim të koordinuar nga institucionet shëndetësore dhe komuniteti.

Duke iu referuar të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), drejtori ekzekutiv i IEJL-PShS-së, Agron Gashi, ka bërë të ditur se gjatë periudhës 16 prill – 3 gusht 2026 janë konfirmuar gjithsej 99 raste me fruth, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 21 raste të reja.

Sipas tij, kjo përfaqëson një rritje prej rreth 27 për qind të numrit të përgjithshëm të rasteve brenda vetëm një jave, duke treguar nevojën për vigjilencë të shtuar dhe masa të organizuara për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.

Në komunikatën e institutit theksohet rëndësia e vazhdimit dhe përforcimit të masave të synuara dhe të matshme në nivel qendror, komunal dhe komunitar, me fokus të veçantë në ruajtjen e nivelit të lartë të vaksinimit rutinor.

Gashi ka vlerësuar se ruajtja e arritjeve shumëvjeçare të Kosovës në programin e imunizimit mbetet thelbësore për parandalimin e përhapjes së fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Sipas përditësimit të fundit të IKShPK-së, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Prishtinë me 33 raste, pasuar nga Fushë-Kosova me 25, Ferizaj me 12 dhe Kaçaniku me shtatë raste. Nga tri raste janë raportuar në Drenas, Lipjan dhe Obiliq, nga dy raste në Gjilan, Skenderaj, Shtime dhe Vushtrri, ndërsa nga një rast në Deçan, Graçanicë, Podujevë, Shtërpcë dhe Viti.

Instituti Kombëtar thekson se, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur deri në gusht 2025 ishin konfirmuar 65 raste, këtë vit është shënuar rritje e konsiderueshme e numrit të të prekurve. Ndërkaq, gjatë periudhës 2021–2024 në Kosovë ishin regjistruar vetëm tre raste me fruth, të gjitha të importuara.

IKShPK u rekomandon qytetarëve që çdo person me simptoma të dyshimta, si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet shëndetësore përkatëse.

Po ashtu, Instituti u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë imunizimin sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit në qendrat e mjekësisë familjare, duke rikujtuar se vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e personave të pavaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik.


MË SHUME NGA Shëndetësi