ASK: Rriten vizitat parandaluese në institucionet shëndetësore
BKT
Foto| RTKlive dhe ilustrime
Shëndetësi

ASK: Rriten vizitat parandaluese në institucionet shëndetësore

A.B/RTKLive

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Statistikat e Shëndetësisë për vitin 2025, ku evidentohet rritje e vizitave në institucionet shëndetësore në të gjitha nivelet, ndërsa rastet e reja të sëmundjeve malinje dhe beninje janë rritur për 3.6 për qind krahasuar me vitin 2024.

"Në vitin 2025, numri i vizitave në institucionet shëndetësore, kryesisht vizitave parandaluese, është rritur në të gjitha nivelet, qofshin ato në shëndetin primar, sekondar ose edhe në atë terciar, një rritje  më e madhe  vërehet në laboratorët e të gjitha niveleve. Tek rastet e reja të personave të prekur nga sëmundjet malinje dhe beninje, në vitin 2025 është shënuar një rritje prej 3,6 %, nga 3,644 raste në vitin 2024 në 3,775 raste në vitin 2025", njofton ASK.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, numri i përgjithshëm i të punësuarve në shëndetësi në sektorin publik, në vitin 2025, ishte 14,444 të punësuar, prej tyre: mjekë specialistë (3,117); mjekë stomatologë (386); farmacistë (120); fizioterapistë (57); infermierë (8,151); bashkëpunëtorë shëndetësorë (235); dhe staf jo-mjekësor (2,378).

ASK njofton se në vitin 2025, numri i punonjësve shëndetësorë të licencuar në bazë të odave të profesionistëve shëndetësorë është 17 830, prej tyre:  6,491 mjekë,  5,402 infermierë, 2,725 stomatologë, 1,398 fizioterapeistë, si dhe 1,814 farmacistë. Nga ky numër: 7,299 janë femra, ndërsa 10,531  janë meshkuj.

"Gjatë vitit 2025, numri i institucioneve private shëndetësore të licencuara ka arritur në 2 362 sosh, prej tyre: spitale (33) dhe 2,329 institucione të tjera shëndetësore (ambulanca, poliklinika, laboratorë, kabinete etj.). Nga gjithsej 2,329 institucioneve private shëndetësore të licencuara, numrin më të madh e përbëjnë ambulancat stomatologjike me 425 sosh; ambulanta gjinekologjike (189); qendra diagnostike (167) etj", njofton ASK.


MË SHUME NGA Shëndetësi