Shefi i Anthropic kërkon ngadalësimin e zhvillimit të inteligjencës artificiale
G.K/RTKlive
Drejtori ekzekutiv i Anthropic, Dario Amodei, ka bërë thirrje që zhvillimi i modeleve të inteligjencës artificiale të ngadalësohet dhe të monitorohet më nga afër, për shkak të rreziqeve që mund të shoqërojnë avancimin e shpejtë të teknologjisë, raporton BBC.
Në një ese të publikuar të shtunën, Amodei tha se zhvillimi i inteligjencës artificiale nuk duhet të ndalet, por kompanive dhe qeverive duhet t’u jepet më shumë kohë për t’u përballur me rreziqet që ai i ka cilësuar si “serioze”.
Ai ka propozuar një plan me tri pika, që përfshin monitorimin e pavarur të modeleve gjatë zhvillimit, rregullimin në nivel të industrisë dhe rregullimin global.
Sipas BBC-së, Amodei ka thënë se qëllimi nuk është “ndalimi i trajnimit të modeleve apo i përparimit teknik”, por që kompanitë të kenë kohë të mjaftueshme për t’i bërë modelet më të sigurta dhe që kjo të konfirmohet nga vlerësues të pavarur.
Qëndrimi i Amodeit ka marrë mbështetje edhe nga drejtues të kompanive rivale.
“Pajtohem me Darion se duhet ta kontrollojmë ritmin në kufirin e zhvillimit”, ka shkruar në X drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, duke i cilësuar vlerësuesit e pavarur si “një ide të shkëlqyer”.
Edhe Elon Musk ka shprehur mbështetje, duke shkruar se “Dario ka të drejtë”.
Amodei ka paralajmëruar se inteligjenca artificiale po avancon “drastikisht më shpejt”, përfshirë edhe aftësinë e saj për të ndihmuar në ndërtimin e gjeneratave të ardhshme të modeleve.
Ai ka thënë se një ngadalësim prej një ose dy vjetësh, përpara se modelet të arrijnë nivele kritike të aftësive, mund të ndihmojë në përmirësimin e sigurisë dhe të zvogëlojë rrezikun që “diçka të shkojë seriozisht keq”.
Megjithatë, ai ka theksuar se një ngadalësim i tillë duhet të bëhet në mënyrë të koordinuar, pa dëmtuar avantazhin tregtar dhe epërsinë e Shteteve të Bashkuara në fushën e inteligjencës artificiale, veçanërisht në raport me Kinën.
Amodei ka bërë gjithashtu thirrje që kompanitë e inteligjencës artificiale të bashkëpunojnë vullnetarisht për vendosjen e standardeve të përbashkëta të sigurisë, paralelisht me masat rregulluese të qeverive. / Burimi: BBC























