IKShPK: 172 raste me fruth në Kosovë
V.Th / RTKLive
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 20 shtator 2026 janë konfirmuar 172 raste me fruth në Kosovë.
Sipas IKShPK-së, vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar shtatë raste të reja.
Të dhënat e institutit tregojnë se mbi 95 për qind e rasteve të konfirmuara me fruth janë te persona të pavaksinuar me vaksinën MMR.
IKShPK ka theksuar rëndësinë e vaksinimit si masën kryesore për mbrojtjen e fëmijëve dhe komunitetit nga fruthi.
Krahas vaksinimit të rregullt sipas kalendarit të imunizimit, instituti ka bërë të ditur se është intensifikuar edhe vaksinimi i vonuar, i njohur si “catch-up”, për fëmijët që për arsye të ndryshme nuk janë vaksinuar në kohën e paraparë.
Sipas të dhënave të IKShPK-së, gjatë këtij viti mbi 3 mijë e 176 fëmijë të grupmoshës 2 deri në 5 vjeç janë vaksinuar përmes programit të vaksinimit “catch-up”.
IKShPK ka vlerësuar angazhimin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve në rritjen e vaksinimit dhe mbrojtjen e fëmijëve nga fruthi.
Instituti ka përsëritur thirrjen për vaksinim të rregullt, duke theksuar se vaksinimi mbetet masa më e rëndësishme për parandalimin e përhapjes së fruthit.























