Kusari-Lila paralajmëron rikthim të çmimit tavan për naftën nëse nuk ulen çmimet
BKT
Në Fokus

Kusari-Lila paralajmëron rikthim të çmimit tavan për naftën nëse nuk ulen çmimet

K. K. / RTKlive

(Plotësuar) Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar se Qeveria mund ta rikthejë çmimin tavan për derivatet e naftës në Kosovë, nëse rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare nuk reflektohet në tregun vendor brenda pak ditësh.

Gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, duke iu përgjigjur shqetësimeve të deputetes së Aleancës, Albana Bytyqi, lidhur me shtrenjtimin e naftës dhe ndikimin e tij në çmimet e produkteve të tjera, Kusari-Lila tha se në dy ditët e fundit është vërejtur një tendencë e rënies së çmimeve në tregun ndërkombëtar.

Ajo paralajmëroi se nëse kjo rënie nuk reflektohet në çmimet në Kosovë, institucionet do të ndërmarrin masa.

“Që nga nesër, nëse nuk ka rënie apo reflektim në çmimin në tregun në Kosovë, atëherë ne e rikthejmë çmimin tavan, për të cilin tashmë kemi edhe bazën ligjore për ta bërë”, tha Kusari-Lila.

Ministrja sqaroi se çmimi tavan ishte në fuqi nga marsi deri më 8 shtator 2026, kur u hoq pas përfundimit të afatit të përcaktuar me udhëzimin administrativ.

Sipas saj, gjatë kësaj periudhe dhe pas heqjes së masës, Ministria ka vazhduar monitorimin e përditshëm të çmimeve dhe marzhave tregtare.

Kusari-Lila tha se, bazuar në të dhënat zyrtare të importit, pas heqjes së çmimit tavan marzha tregtare nuk e ka kaluar kufirin e përcaktuar prej 12 centësh për litër, ndërsa sipas saj, ka qenë 11.5 centë.

Ajo theksoi se Kosova është e ekspozuar ndaj lëvizjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare për shkak të varësisë nga importi, por shtoi se Qeveria nuk do të qëndrojë pasive përballë çrregullimeve të tregut.

Kusari-Lila i kundërpërgjigjet Tahirit për nepotizëm: Akuzat t’i bëjë me emra

Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, i është kundërpërgjigjur shefit të Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, lidhur me akuzat për nepotizëm dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare në Qeveri.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Kusari-Lila i kërkoi Tahirit që akuzat e tij t’i konkretizojë dhe të përmendë emra e raste konkrete.

Ajo kundërshtoi edhe deklaratën e Tahirit se shumica e anëtarëve të kabinetit qeveritar nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e opozitës. Sipas saj, një pjesë e tyre kanë pasur përvojë në opozitën parlamentare ose në shoqërinë civile.

Duke iu referuar akuzave për nepotizëm dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, ministrja tha se deklaratat e përgjithshme, pa fakte dhe pa emra konkretë, nuk janë të drejta.

Në anën tjetër, Tahiri insistoi se ka raste konkrete të punësimeve në institucione dhe paralajmëroi se do t’i bëjë publike emrat.

"Ju keni person me aktakuzë në ministrinë e juaj, kundërligjshëm e mbani. Pse e mbani?", tha ai.

Pas kësaj deklarate, Kusari-Lila reagoi sërish nga foltorja, duke kundërshtuar pretendimet e Tahirit dhe duke i cilësuar ato si të pavërteta.

“Edhe unë iu referova deklarimit të tij, por ai më kujtoi se unë paskam qenë vetëm një herë në opozitë. Në fakt, kam qenë në opozitë ndaj qeverisë suaj gjatë periudhës 2017-2020, si dhe në vitin 2020, nga mesi i vitit, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti 1. Kemi qenë bashkë, por nuk është çështja se kush ka më shumë përvojë në opozitë. Çështja është deklarimi yt i gabuar që në fillim. Ti the: ‘Shikoni këta, nuk e dinë çfarë është opozita’. Ky është një pretendim i pavërtetë, një deklarim i pavërtetë, sepse nuk ishte as fakt. Sa u përket pjesëve të tjera, sërish po përgjithëson. Fol me raste konkrete dhe do t’i diskutojmë ato në mënyrë specifike. Po hedh akuza të përgjithësuara, ty po të kundërargumentohen me vetë suksesin e qeverisë ose me fitoren e Vetëvendosjes", theksoi Kusari-Lila


MË SHUME NGA Në Fokus