18:25 / 10.11.2026
Parandalohet futja e një thike në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë
K. K. / RTKlive
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se është parandaluar futja e një thike në qendrën e paraburgimit në Prishtinë.
Në njoftim theksohet edhe se, rasti është hetuar gjatë kontrollit të rrobave në hyrje të sallës së vizitave, ku zyrtarët korrektues kanë zbuluar një thikë të fshehur në mënyrë të kamufluar brenda xhaketës, e cila ishte destinuar për një person të burgosur.
"Pas zbulimit, vizita është anuluar, ndërsa lidhur me rastin është njoftuar Policia e Kosovës. Rasti është trajtuar në përputhje me procedurat përkatëse", thuhet në njoftim.
Shërbimi Korrektues i Kosovës thekson se vazhdon të zbatojë kontrolle dhe masa të rrepta sigurie për të parandaluar futjen e sendeve të ndaluara në institucionet korrektuese.























