Ekspertët paralajmërojnë për pasojat e ndotjes së ajrit në Kosovë / Video
Fatos Cerrvadiku / RTK
Avokati i Popullit, përmes një raporti ka evidentuar se ndotja e ajrit vazhdon të përbëjë një ndër sfidat kryesore mjedisore dhe të shëndetit publik në Kosovë. Profesionistët shëndetësorë paralajmërojnë për pasojat që ndotja e ajrit mund të shkaktojë në shëndetin e njeriut, ndërsa njohësit e çështjeve mjedisore theksojnë ndikimin e saj në mjedis dhe kërkojnë marrjen e masave sa më të shpejta për përmirësimin e cilësisë së ajrit.
“Ajo mund të shkaktojë probleme jo vetëm resipratore normalisht pasi që mushkëria është rruga hyrëse e ndotësve të ajrit, por mund të shkaktojë edhe probleme kardiovaskulare, pastaj sëmundje malinje e kështu më radhë . Në mushkëri, zakonisht, tek njerëzit më të prekur, janë njerëzit që kanë sëmundje kronike, ata që kanë astmë bronkiale Besim Morina, pulmolog.
Njohës të çështjeve mjedisore thonë se ndikimi i ndotjes së ajrit në mjedis është i madh, andaj po kërkohet edhe marrja e masave sa më të shpejta.
“Në të gjitha aktivitetet të cilat lirojnë emisione ose shkarkime. Të cilat na bëjnë jetën të pamundur sidomos gjatë sezones së dimrit, ku avullimi i tokës është shumë i madh, mjegullat janë të shumta, temperaturat e ulëta”, ka thënë Ilir Morina, njohës i çështjeve mjedisore.
Në raport thuhet se IKShPK-ja ka vlerësuar se ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit lidhet me rritjen e rrezikut për sëmundje respiratore dhe kardiovaskulare, veçanërisht te fëmijët, tek të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Raporti trajton gjithashtu sfidat në zbatimin e legjislacionit, mungesën e kapaciteteve të mjaftueshme njerëzore dhe teknike për mbikëqyrjen inspektuese, nevojën për forcimin e monitorimit dhe koordinimit ndërinstitucional, si dhe rëndësinë e miratimit të politikave dhe masave të qëndrueshme për reduktimin e ndotjes.
Qëllimi i raportit u tha se është vlerësimi i gjendjes së cilësisë së ajrit, i kornizës ligjore dhe institucionale, si dhe i efektivitetit të masave të ndërmarra nga autoritetet publike për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve, në përputhje me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.























