Materazzi kujton goditjen me kokë nga Zidane pas vdekjes së De Miguel
UK/RTKLive.com
Ish-mbrojtësi i Italisë, Marco Materazzi, ka thënë se vdekja e sulmuesit spanjoll Jesus de Miguel, pas një përplasje në fushën e futbollit, e ka bërë të reflektojë për incidentin e famshëm me Zinedine Zidane në finalen e Kupës së Botës 2006.
Materazzi ka pranuar se ndihet me fat që nuk pësoi lëndime serioze nga goditja me kokë që mori nga ish-kapiteni i Francës, në një prej episodeve më të paharrueshme në historinë e futbollit.
“Vdekja e Jesus de Miguelit më bëri ta falënderoj Zotin që mua nuk më ndodhi asgjë”, ka thënë Materazzi.
Ngjarja tragjike lidhet me sulmuesin e Tenerife, Jesus de Miguel, i cili vdiq pas një përplasje me portierin e Andorrës, Jesus Owono, gjatë një ndeshjeje të Segunda Division në Spanjë, në fillim të këtij muaji.
Incidenti i Materazzi me Zidane ndodhi në finalen e Kupës së Botës 2006, mes Italisë dhe Francës. Në një moment të ndeshjes, Zidane e goditi me kokë Materazzi në gjoks, pas një përplasje mes tyre. Për këtë veprim, kapiteni francez u ndëshkua me karton të kuq.
Italia më pas triumfoi në penallti dhe fitoi titullin e kampionit të botës.
Materazzi, ish-futbollist i Inter dhe Everton, ka treguar edhe për një takim të mëvonshëm me Zidane, në vitin 2010, para një ndeshjeje. Sipas tij, të dy kishin lënë pas incidentin e finales së vitit 2006.
“Kur më pa, ai hezitoi pak dhe madje u kthye sikur të largohej. Por unë iu afrova dhe ia zgjata dorën: ‘Më vjen mirë që po takohemi këtu, ku askush nuk mund të na shohë’”, ka rrëfyer Materazzi.
Sipas tij, Zidane ishte përgjigjur se nuk kishte asgjë për t'u shqetësuar, pasi ngjarje të tilla ndodhin dhe gjithçka i përkiste së kaluarës.
Megjithatë, Materazzi ka shprehur keqardhje që ish-futbollisti francez më vonë e kishte mohuar versionin e tij për atë takim, duke thënë se e kishte ngatërruar me një tifoz.























