Gjirokastër, ekspozitë për restaurimin e banesave historike
rtsh
Në kalanë e gurtë është çelur Ekspozita studentore “Restaurimi i Banesave në Gjirokastër” , ku u prezantuan projektet e realizuara nga studentët e vitit të katërt të programit Arkitekturë .
Sipas Pedagoges, Malvina Istrefaj e cila ka ndjekur gjithë procesin e punës në terren, dokumentimi i detajuar i këtyre objekteve është një hap i domosdoshëm për ruajtjen e trashëgimisë së qytetit .
“Krahas dorëzimit të projektit në këtë lëndë, studentët përgatisin edhe një poster prezantues të projektit të tyre, ku përfshihet edhe një propozim për restaurimin në të ardhmen. Për t’i njohur nga afër qytetarët edhe me këto lloj propozimesh, aktivitetin e zhvillojmë edhe në kala. Në këtë rast, kemi pasur edhe ambiente të tjera brenda qytetit të Gjirokastrës”, u shpreh Istrefaj.
Nga ana tjetër studentët shprehen se dokumentimi , eshte një pjesë e rëndësishme e praktikës së tyre në terren.
“Kemi marrë disa banesa të kategorisë së parë dhe të dytë për të bërë studimet e duhura. Unë personalisht kam ndërtesën e Puto-Galanxhit. Është një monument i kategorisë së dytë. Ndodhet në gjendje jo të mirë, por po punojmë shumë fort për të evidentuar karakteristikat e saj kryesore arkitektonike”, tha një studente.
Organizatorët synojnë që kjo nismë të vijojë edhe në zona të tjera me vlera të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë studentët në projekte konkrete dokumentimi dhe restaurimi.























