“Prishtina 2030”, alarm pas anulimit të takimit|Video
Alba Merovci /RTK
Është anuluar takimi në Athinë për organizimin e Lojërave Mesdhetare "Prishtina 2030", duke shtuar paqartësitë për ecurinë e përgatitjeve. Komiteti Olimpik i Kosovës e ka konfirmuar anulimin për RTK-në, ndërsa në ditët në vijim pritet të mblidhet Komiteti Organizativ për t`i shqyrtuar hapat e mëtejshëm. Ndërsa kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër, duke e cilësuar këtë zhvillim si skandal dhe duke kërkuar llogari.
Është anuluar takimi në Athinë për organizimin e Lojërave Mesdhetare "Prishtina 2030". Mungesa e përgjigjeve, obligimet e papërmbushura dhe moskonfirmimi i delegacionit brenda afatit thuhet se janë arsyet e renditura në një shkresë të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Në shkresën e sekretarit të përgjithshëm të KOK-ut, Besim Aliti, thuhet se njoftimi për anulimin është përcjellë përmes një telefonate zyrtare nga sekretari i përgjithshëm i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.
Afati për caktimin dhe konfirmimin e delegatëve kishte qenë deri të shtunën. Sipas shkresës, mosrespektimi i këtij afati ka pamundësuar përgatitjet e nevojshme organizative dhe logjistike për mbajtjen e takimit.
Anulimin e ka konfirmuar drejtpërdrejt për RTK-në edhe KOK-u, duke bërë të ditur se në ditët në vijim pritet të mblidhet Komiteti Organizativ për të shqyrtuar hapat e mëtejshëm.
Ndërkohë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër, duke e cilësuar këtë zhvillim si skandal. Rama ka kërkuar llogari nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës, duke shprehur shqetësimin për rrezikimin e organizimit të Lojërave.
Për këtë çështje, Programi i Sportit në RTK ka kontaktuar ministrin e sportit Blerim Gashani, i cili e ka orientuar kërkesën te Zyra për Informim e Ministrisë. Megjithëse pyetjet janë dërguar, deri në përgatitjen e kësaj kronike, Ministria e Sportit nuk ka kthyer përgjigje.
Anulimi i takimit vjen pas paralajmërimeve për rrezikun që Kosova ta humbë të drejtën e organizimi të Lojërave Mesdhetare. Mosrealizimi i këtij takimi në Athinë, shton paqartësitë për Lojërat Mesdhetare "Prishtina 2030", ndërsa nga institucionet përgjegjëse priten sqarime dhe hapa konkretë për përmbushjen e obligimeve.























