Kosova U21 mposhtet nga Luksemburgu në miqësore
BKT
Sport

Kosova U21 mposhtet nga Luksemburgu në miqësore

UK/RTKLive.com

Kosova U21 është mposhtur nga Luksemburgu U21 me rezultat 2:0, në ndeshjen miqësore të zhvilluar të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Mysafirët kanë kaluar në epërsi që në minutën e gjashtë, kur Mick Kirsch ka shënuar për 1:0.

Ndërsa golin e dytë për Luksemburgun e ka realizuar sulmuesi shqiptar Flavjo Hoxha, në minutën e gjashtëdhjetë e pestë. Hoxha aktivizohet për përfaqësueset e grupmoshave të reja të Luksemburgut.

Kosova ka pasur një rast për të barazuar rezultatin në minutën e njëzet e pestë, kur Eliot Bujupi e ka dërguar topin në rrjetë, por goli i tij është anuluar për shkak të pozitës jashtë loje.

Kjo ndeshje vjen pas përfundimit të ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian U21, që vitin e ardhshëm organizohet në Shqipëri dhe Serbi. Kosova nuk arriti të sigurojë kualifikimin në këtë garë.

"Dardanët" e rinj e përfunduan Grupin A në vendin e katërt me pesëmbëdhjetë pikë, pas katër fitoreve, tri barazimeve dhe tri humbjeve.