Kusari-Lila: Ligji për Inovacionin parasheh krijimin e Fondit të Inovacionit
E.Hoti/RTKlive
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila ka prezantuar reformat dhe planet e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë, gjatë një takimi me përfaqësues të komunitetit të biznesit, investitorë dhe themelues të startup-eve.
Në një aktivitet të organizuar nga Innovation Centre Kosovo (ICK), në kuadër të Javës Botërore të Ndërmarrësisë, Kusari ka folur për Ligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi, i cili, sipas saj, është në prag të shqyrtimit të dytë.
Ajo ka bërë të ditur se ky ligj parasheh themelimin e Fondit të Inovacionit, si dhe krijimin e një departamenti të dedikuar për hartimin e politikave në kuadër të Ministrisë dhe Agjencisë për Inovacion dhe Ndërmarrësi.
Kusari ka përmendur edhe planet për krijimin e parqeve industriale me klasterë të veçantë, standarde ekologjike dhe parime të ekonomisë qarkore.
Gjatë bashkëbisedimit me përfaqësuesit e bizneseve dhe startup-eve, janë diskutuar sfidat me të cilat përballen, përfshirë nevojën për mekanizma më fleksibilë të financimit, mbështetjen gjatë zgjerimit të bizneseve dhe lehtësimin e procedurave për tërheqjen e investimeve të huaja.
Duke folur për zhvillimet teknologjike dhe inteligjencën artificiale, Kusari ka theksuar rëndësinë që Kosova të marrë drejtimin në këtë fushë.
“Ne nuk guxojmë ta lëmë këtë potencial njerëzor dhe shansin e transformimit me inteligjencë artificiale (AI) ta udhëheqin të tjerët”, ka shkruar ajo.
Sipas Kusarit, synimi është që inovacioni të ndërlidhet drejtpërdrejt me prodhimin e mençur dhe ekonominë qarkore, në mënyrë që bizneset vendore të bëhen më konkurruese edhe në tregjet ndërkombëtare.






















