KE-ja do të rishpërndajë fondet e Planit të Rritjes për vendet me më shumë reforma
Gjeraqina Tuhina / RTK-Bruksel
Komisioni Evropian pritet t'i rishpërndajë mjetet nga Plani i Rritjes në favor të vendeve që kanë përparuar më shumë në zbatimin e agjendës së reformave. Këtë e paralajmëroi presidentja e këtij institucioni në përfundim të samitit BE – Ballkani Perëndimor:
“Në kuadër të Planit të Rritjes, kemi interes të madh që fondet në dispozicion të vihen në punë. Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi: paratë janë aty për t'u investuar dhe për të sjellë rezultate. Prandaj, planifikojmë t'i rishpërndajmë fonde të konsiderueshme te tri vendet që kanë bërë përparimin më të madh në kuadër të Instrumentit”, ka thënë Ursula von der Leyen.
Ndonëse von der Leyen nuk i përmendi emrat e vendeve, burime të BE-së kanë konfirmuar jozyrtarisht se mjete shtesë do të marrin Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Bëhet fjalë për paratë që Serbia, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina i kanë humbur përgjithmonë, sepse nuk i kanë përmbushur reformat në afat.
Samiti ishte edhe një rast për të rikonfirmuar perspektivën evropiane të vendeve të rajonit. Kosova është i vetmi vend pa status kandidati. Kryeministri i vendit ua përsëriti thirrjen institucioneve të BE-së që të marrin vendim për aplikimin e paraqitur katër vjet më parë:
“Nuk po kërkojmë shpërblim, privilegj apo favor. Po kërkojmë vetëm vlerësimin dhe njohjen e përparimit të Kosovës në avancimin demokratik, rritjen ekonomike, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, të drejtat politike dhe liritë civile”, ka deklaruar Kurti.
Në samit morën pjesë liderët e pesë nga gjashtë vendet e rajonit. Mungoi Serbia, pasi kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit dhe ushtruesi i detyrës së presidentit kishte konfirmuar me kohë se nuk do të merrte pjesë për shkak të angazhimeve brenda vendit. Rrjedhimisht, Serbia nuk iu bashkua deklaratës përfundimtare. Ndër të tjera, deklarata dënon glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe mohimin e gjenocidit, si dhe kërkon përafrim me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë sanksionet.






















