Samiti BE–Ballkani Perëndimor, dialogu dhe Plani i Rritjes në fokus
V.Th / RTKLive
Në Bruksel ka nisur samiti i rregullt vjetor BE–Ballkani Perëndimor, ku në fokus janë perspektiva evropiane e vendeve të rajonit, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe mjetet financiare në kuadër të Planit të Rritjes.
Korrespondentja e RTK-së në Bruksel, Gjeraqina Tuhina, ka raportuar në një lidhje të drejtpërdrejtë se në këtë samit po marrin pjesë pesë nga gjashtë liderët e rajonit, meqë Serbia nuk ka dërguar përfaqësues.
Deklarata përfundimtare e samitit dënon glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe revizionizmin historik, si dhe u bën thirrje shteteve që ende nuk e kanë harmonizuar politikën e sanksioneve me atë të BE-së, ta bëjnë këtë.
Ky apel i drejtohet Beogradit zyrtar, marrë parasysh se të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor e kanë harmonizuar 100% politikën e jashtme dhe atë të sigurisë me BE-në.
Vend të rëndësishëm në deklaratën përfundimtare zë edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në deklaratë thuhet se të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut duhet të zbatohen menjëherë, ndërsa mungesa e përparimit në normalizimin e marrëdhënieve pengon të dyja shtetet në rrugën drejt strukturave evropiane.
Kosova në këtë samit përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti, i cili ka bërë thirrje edhe një herë për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Kosova mbetet i vetmi shtet i rajonit pa statusin e kandidatit, pavarësisht aplikimit të bërë katër vjet më parë, i cili ende nuk është shqyrtuar nga strukturat evropiane.
Kurti gjithashtu i është drejtuar pushtetit të ardhshëm në Serbi, duke kërkuar arrestimin e Milan Radoiçiqit dhe ekstradimin e tij në Kosovë.
Sa i përket Planit të Rritjes, shumë shpejt pritet të konfirmohen shtetet fituese dhe humbëse të mjeteve financiare.
Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria pritet të përfitojnë edhe nga mjetet financiare që do t’i humbin Kosova, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Shuma e këtyre mjeteve financiare pritet të konfirmohet nga Komisioni Evropian.






















