Sveçla prezanton në Tokio përvojat e Kosovës në luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit
V.Th / RTKLive
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka prezantuar progresin dhe përvojat e Kosovës në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit, në Takimin e Nivelit të Lartë të Fondit Global për Angazhimin dhe Qëndrueshmërinë e Komuniteteve (GCERF), në Tokio të Japonisë.
Në këtë takim, ku mori pjesë në cilësinë e anëtarit të Bordit të GCERF-së, Sveçla diskutoi për sfidat aktuale dhe angazhimet e përbashkëta në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas njoftimit ai veçoi kapacitetet e institucioneve të sigurisë në Kosovë, zhvillimin e arkitekturës institucionale sipas modelit evropian dhe forcimin e mekanizmave parandalues.
Sveçla ka thënë se Kosova përbën shembull për rajonin dhe më gjerë në proceset e kthimit, rehabilitimit dhe riintegrimit të qytetarëve të kthyer nga zonat e konfliktit.
Ai vlerësoi edhe mbështetjen e GCERF-së për Kosovën, duke e cilësuar këtë mekanizëm si platformë të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira.
Në fund, ministri riafirmoi përkushtimin e Kosovës për të vazhduar kontributin në përpjekjet rajonale dhe ndërkombëtare për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe ndërtimin e komuniteteve më të sigurta e të qëndrueshme.






















