RrGK kërkon që femicidi të bëhet vepër e veçantë penale
BKT
Lajme

RrGK kërkon që femicidi të bëhet vepër e veçantë penale

K. K. / RTKlive

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka kërkuar që femicidi të njihet si vepër e veçantë penale në Kodin Penal të Kosovës, si dhe të krijohet një mekanizëm për monitorimin dhe analizimin e rasteve të vrasjeve të grave.

Kërkesat u paraqitën gjatë protestës me moton “Kundër vrasjes së grave – Femicidi është urgjencë kombëtare”, e cila nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë dhe përfundoi para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Protesta u organizua në shënim të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe në fillim të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore.

Aktivistja Zana Hoxha tha se kërkesa e parë është që femicidi të përcaktohet si vepër e veçantë penale, në mënyrë që vrasjet e grave për shkak të gjinisë së tyre të emërtohen dhe hetohen në këtë kontekst.

“E para kërkesë është që femicidi duhet të njihet si vepër e veçantë penale në Kodin Penal të Kosovës. Pra, femicidi duhet të njihet si vepër e veçantë penale në Kodin Penal të Kosovës. Kur një grua vritet për shkak të gjinisë së saj, ligji duhet me e emërtuar atë vrasje si femicid. E hetimi duhet me u kthyer te krejt çka i ka paraprirë asaj vrasjeje. A ka pasur dhunë? A ka kërcënuar dikush? A ja ka kontrolluar lëvizjet, telefonin, paratë? A ka përndjekur kur ajo ka vendosur me u larguar? A ka kërcënuar se ka me ja marrë fëmijët? Motivi gjinor dhe krejt historia e dhunës duhet me u hetuar që në fillim”, theksoi ajo.

Hoxha kërkoi edhe krijimin e mekanizmit “Femicide Watch”, përmes të cilit do të monitoroheshin dhe analizoheshin rastet e vrasjeve të grave, përfshirë edhe ato të viteve të kaluara, me qëllim të identifikimit të përgjegjësive institucionale dhe mundësive të humbura për parandalimin e tyre.

“E dyta që po kërkojmë, Kosova duhet me e krijuar mekanizmin që në botë njihet si ‘Femicide Watch.’ Kjo i bie që duhet me u monitoruar krejt rastet e vrasjeve të grave dhe me i analizuar edhe ato të viteve të kaluara. Për secilin rast duhet me ditur: a u raportua ajo dhunë nga ajo grua? Kujt i ishte drejtuar dhe çka kishte bërë institucioni që e ka marrë këtë raportim? A është vlerësuar rreziku për të dhe për fëmijët e saj? Kur ka pasur mundësi me ndërhyrë dhe kush e ka pasur përgjegjësinë?”, pohoi ajo.

Ndërkaq, përfaqësuesja e RrGK-së, Besarta Bresnica, në emër të rrjetit dhe 107 organizatave anëtare, kërkoi nga institucionet që femicidin ta trajtojnë me urgjencën dhe seriozitetin e nevojshëm.

“Në emër të Rrjetit të Grave të Kosovës dhe 107 organizatave tona anëtare, sot kërkojmë që institucionet e Republikës së Kosovës ta trajtojnë femicidin me urgjencën dhe seriozitetin që kërkon”, theksoi ajo ndër të tjera.

Bresnica përmendi edhe rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për reagimin ndaj raportimeve dhe kërkesave të saj për mbrojtje.

“Vrasja e Arlinda Zekajt, pas raportimeve dhe kërkesave të saj të përsëritura për mbrojtje, na detyron të kërkojmë përgjegjësi për mënyrën se si institucionet reagojnë kur gratë kërkojnë ndihmë. Na detyron të kërkojmë përgjigje për mundësitë e humbura për ndërhyrje dhe për veprimet që institucionet kanë ndërmarrë apo nuk kanë ndërmarrë për ta mbrojtur jetën e saj”, tha ajo.

Po ashtu ajo kërkoi gjithashtu që institucionet të sigurojnë financim të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm për shërbimet që ofrojnë mbrojtje për gratë që përjetojnë dhunë.

“Prandaj, sot kërkojmë që institucionet e Republikës së Kosovës të sigurojnë financim të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm për shërbimet e mbrojtjes së grave nga dhuna”, theksoi ajo.

 

 


MË SHUME NGA Lajme