Costa: Zgjerimi i BE-së është një mundësi reale që duhet shfrytëzuar
G.K/RTKlive
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka thënë se samiti BE-Ballkani Perëndimor, i mbajtur në Bruksel, ka rikonfirmuar perspektivën e anëtarësimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.
Në konferencën për media pas samitit, Costa ka theksuar se situata sfiduese gjeopolitike nënvizon nevojën për lidhje gjithnjë e më të ngushta ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
“Mesazhi im për të gjithë partnerët ishte i qartë: ruajeni ritmin e përparimit dhe zbatoni reformat që do t’ju çojnë drejt Bashkimit Evropian. Zgjerimi është një mundësi reale dhe ajo duhet të shfrytëzohet”, ka deklaruar Costa.
Ai ka thënë se gjatë samitit janë shqyrtuar arritjet që nga samiti në Tivat dhe është diskutuar për avancimin e mëtejshëm të integrimit gradual në Bashkimin Evropian.
“Përparimi i arritur nga Mali i Zi dhe Shqipëria dëshmon se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është një iluzion, por një mundësi reale për ata që angazhohen. Këtë vit kemi nisur hartimin e Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi – një hap që nuk e kemi ndërmarrë prej më shumë se 10 vjetësh. Edhe Shqipëria ka filluar të mbyllë kapitujt negociues. Të gjithë partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor, nëse dëshirojnë, mund të bëjnë përparim në rrugën e tyre drejt anëtarësimit”, ka thënë ai.
Costa ka theksuar se rruga drejt BE-së nuk ka të bëjë vetëm me zbatimin e reformave të nevojshme, por edhe me bashkëpunimin rajonal, pajtimin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të cilat janë parakushte thelbësore për anëtarësim.
“Sfidat që i kanë rrënjët në të kaluarën duhet të kapërcehen. Është koha të shikojmë përpara dhe jo prapa. Vetëm atëherë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor mund të bëjnë përparim të vërtetë dhe të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre si anëtarë të ardhshëm të një Evrope të qëndrueshme, të begatë dhe të bashkuar”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, vetë Bashkimi Evropian është dëshmi e kësaj qasjeje, pasi është ndërtuar mbi pajtimin dhe paqen, ndërsa zgjerimi ka qenë thelbësor për avancimin e këtyre synimeve.
“Partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor mund të mbështeten te Bashkimi Evropian. Ne jemi partneri juaj më i palëkundur dhe do të mbetemi të tillë”, ka deklaruar Costa.






















