Leonardo: Milan-Lazio duhej ndërprerë!
BKT
Sport

Leonardo: Milan-Lazio duhej ndërprerë!

Milan-Lazio nuk ka përfunduar... Ajo që ndodhi të mërkurën mbrëma në “San Siro”, ku një pjesë e tifozëve miq patën sjellje raciste kundër Bakayoko dhe Kessié, nuk kapërdihet lehtë nga Leonardo.

I intervistuar nga “La Gazzetta dello Sport”, drejtori kuqezi kërkon ndërhyrje urgjente nga institucionet dhe evidenton përgjegjësit. Duke filluar nga Mazzoleni, i njëjti gjyqtar në Inter-Napoli, ku “viktimë” e koreve raciste ishte Koulibaly, shkruan Telesport.

"Unë nuk flas për shkak se kemi humbur, Lazio fitoi në fushë dhe e meritoi finalen. Megjithatë, arbitri kishte një mijë arsye për ta ndërprerë lojën, ai duhej ta bënte këtë. Bëmë një deklaratë dhe kërkuam masa për të ndërhyrë në mënyrë energjike, për ta luftuar racizmin. Në fakt, ekzistojnë rregullat për këtë, vetëm duhet t’i zbatojmë ato. 

Në të ardhmen do të jemi më energjikë, ndërkohë që kërkojmë respekt dhe drejtësi. Ne kontaktuam me të gjithë drejtuesit, për ta dhënë alarmin. Nuk ishte një situatë e papritur, Mazzoleni e kishte përjetuar diçka të tillë edhe te ndeshja Inter-Napoli, në rastin e Koulibaly. E përsëris, loja duhej ndërprerë, por me këtë nuk po kërkoj alibi për rezultatin. Ajo ndeshje kishte shumë ofendime, provokime dhe kore raciste".

Leonardo ka një mesazh edhe për zëvendëskryeministrin Salvini, tifoz i egër kuqezi, por edhe "zhurmues", me deklaratat e tij vend e pa vend, duke nervozuar Milanin: "Përdori fjalën turp vetëm për lojën e Milanit, por duhej të mendohej mirë, ajo fjalë duhej thënë për episode shumë më të rënda. Pse nuk foli Salvini për racizmin në stadium?".