Ilaz Kodra pas 20 vitesh `kthehet` pranë Fehmi Lladrovcit
BKT
Lajme

Ilaz Kodra pas 20 vitesh `kthehet` pranë Fehmi Lladrovcit

Në sheshin e Drenasit, është zbuluar të martën shtatorja e Ilaz Kodrës, një prej themeluesve të UÇK-së dhe komandant i Brigadës 114.

Në organizmin e presidentit të Kosovës, zbulimi i shtatores u bë me një ceremoni ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, ish-luftëtarë të UÇK-së e familjarë të heroit. Aty u tha se vepra dhe sakrifica e Ilaz Kodrës për liri do të kujtohet gjithmonë.

Krenare Kodra, e cila nuk e takoi babain e saj asnjëherë, iu drejtua sot atyre që kishin shkuar pranë shtatores së Ilaz Kodrës për ta nderuar atë.

Ajo tha se gjeneral Kodra u kthye sot, dhe po njoftohet me Kosovën e lirë e të pavarur.

Këtu, tha Krenarja, po njoftohet edhe me të, meqë lufta nuk e la të priste e ta takonte.

Zbulimi i shtatores në Drenas u bë nga përfaqësues të institucioneve dhe vajzat e Ilaz Kodrës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se Kosova dhe Drenasi duhet të krenohen me heroin Ilaz Kodra.

E kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci foli për veprën e Ilaz Kodrës dhe brigadën që ai e udhëhiqte.

Ndërsa kryetari i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari tha se Ilaz Kodra ishte mik i ngushtë i komandantit legjendar Adem Jashari edhe në kohët më të vështira.

I ftuar në ceremoni ishte edhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti. Ai kujtoi disa nga fjalët e Ilaz Kodrës.

Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra kishte marrë drejtimi ne brigadës 114, pas rënies së Fehmi Lladrovcit.

Ai ra heroikisht më 30 prill të vitit 1999 në fshatin Vërboc, bashkë me Antigona Fazliun, ku kishte shkuar për t’u ndalë në ndihmë popullatës civile.

Në Drenas të martën u përkujtuan edhe 58 dëshmorë e 257 martirë të rënë nga 20 deri më 30 prill në fshatin Shtuticë dhe Vërboc.


MË SHUME NGA Lajme