Shpejt e harruan Vokrrin: Asnjë përkujtim në 3 vjetorin e pranimit në UEFA
Federata e Futbollit të Kosovës, sot shënon 3 vjetorin e anëtarësimit në gara ndërkombëtare, një rrugëtim ky i gjatë e sakrificë, ku mund të themi se e tëra falë legjendës së futbollit Fadil Vokrrit!
Mirëpo, në këtë ditë kur Federata u pranua në UEFA falë tij, nuk u bë ndonjë përkujtim i veçantë, siç do të duhej për legjendën Vokrri, shkruan Gazeta Metro.
3 vite më parë ky qe lajmi që bëri ta duam edhe më shumë këtë sport, ku dihej se ekipi i sapoformuar kosovar me lojtarë të talentuar do t’i futej një rrugëtimi të vështirë, por jo të papërballueshëm.
Në ditë kur po shënohet 3 vjetori i pranimit në garat ndërkombëtare, u thanë shumë fjalë e shumë falenderime, por ajo që mungoi ishte një fjalim i gjatë për meritorin më të madh të kësaj dite.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi ka nënvizuar në një letër të hapur, me rastin e 3 vjetorit të ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar, dhe ku mes shkrimit të tij të gjatë përmendi pak Vokrrin.
“Po ashtu i kujtoj me krenari të gjithë ata që punuan dhe ndihmuan për këtë ditë të madhe e që më nuk janë në mesin tonë, posaçërisht ish-presidentin, Fadil Vokrri, por edhe të gjithë të tjerët që kanë qenë pjesë e futbollit”, ka thënë Ademi.
Kujtojmë, që tri vite më parë i erdhi fundit izolimit 25 vjeçar falë Fadil Vokrrit, figurës më të ndritur të futbollit në Kosovë.























