Për nder të Ditës së Evropës, organizohet loja simultane e shahut
Federata e Shahut e Kosovës së bashku me bankën NLB dhe Ambasadën sllovene në Kosovë, kanë organizuar lojën simultane të shahut.
Kjo simultane ishte paraparë të mbahet në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, por për shkak të motit të ligë, u mbajt në ambientet e Hotel Grandit në Prishtinë.
Kryetari i Federatës së Shahut të Kosovës, Nysret Avdiu tha se ky organizim është mesazh për të rinjtë që të marrin pjesë në lojërat e shahut. Ai tutje tregoi edhe për nënshkrimin e një memorandumi mes Federatës së Kosovës dhe asaj Evropiane së Shahut.
Kryetari i Federatës Evropiane të shahut, Zurab Azmaiprashvili, nuk kurseu fjalë të mira për shahun dhe rininë e Kosovës. Ndërsa, ambasadori slloven Bojan Bertoncelj, u shpreh se ky organizim tradicional pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Drejtori gjeneral i bankës NLB në Prishtinë, Bogdan Podlesnik, tha se banka, e cila ai e drejton, gjithmonë bashkëpunon me Federatën e Shahut dhe se organizime të tilla janë meritë e madhe edhe e kryetarit të kësaj Federate.
Ndryshe, ky është viti i 7-të me radhë që organizohet kjo lojë dhe sipas organizatorëve do të vazhdojë edhe në të ardhmen me risi tjera.























