Rrjeti i grave të komuniteteve RAE reagon për sulmin ndaj gruas në Lipjan
Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase të Kosovës (RROGRAEK), me anë të një komunikate për media e ka dënuar ashpër sulmin që ndodhi një ditë më parë në Lipjan, ku një grua e komunitetit rom u sulmua nga disa të rinj të këtij qyteti.
“Kjo sjellje brutale ndaj një gruaje, e cila vjen nga komuniteti rom dhe e cila është dyfish e diskriminuar, së pari si grua dhe më pastaj si komunitet pakicë, duhet ta marrë dënimin e merituar dhe të mos mbetet vetëm në suaza të deklaratave”.
“Përderisa Policia e Kosovës ka deklaruar se gruaja e cila ishte riatdhesuar nga Belgjika në Kosovë në vitin 2011 nuk dyshohet për ndonjë aktivitet kriminal, por e cila u sulmua pasi që grupe të ndryshme online kanë alarmuar rrejshëm për rrezikun që pretendohej se ajo paraqiste, nuk duhet të mbetet me kaq. Por se rasti duhet të qartësohet deri në fund dhe akterët e këtij rasti, të cilët ushtruan dhunë ndaj një gruaje rome, të marrin dënimin e merituar”.
“RROGRAEK po ashtu fton institucionet përkatëse që të marrin rastin parasysh dhe të marrin masa disiplinore ndaj sulmuesve, duke e trajtuar rastin deri në fund dhe po ashtu u bën thirrje institucioneve arsimore në Kosovë që të kenë kujdes me fëmijët, tek të cilët të mos ketë nxitje të urrejtjes ndaj qytetarëve të komuniteteve tjera dhe të ketë sulme në baza racore, si në rastin me gruan e komunitetit rom”, thuhet në komunikatën për media Adelina Qorraj Emini, përfaqësuese e këtij rrjeti.























