Interesimi për dhurimin e gjakut është në rritje
Albulena Bytyqi
Sot është 14 qershori, Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut. Që prej vitit 2004 kjo datë shënohet me fushatë për dhurimin e gjakut për të shpëtuar jetën e atyre që kanë nevojë. Kjo ditë shënohet edhe në Kosovë, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për rëndësinë që ka sigurimi me kohë i gjakut. Zyrtarë të Qendrës për Transfuzionin e Gjakut, apelojnë te të gjithë ata që gëzojnë shëndet të mirë që t’i përgjigjen thirrjes së tyre, në mënyrë që si qendër të kenë rezerva të mjaftueshme të gjakut.
14 qershori, Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut ka për qëllim ndërgjegjësimin e popullatës që të kuptojë që dhurimi i gjakut është i dobishëm, për arsye se gjaku duhet ta pretë pacientin dhe jo pacienti gjakun. Drejtoresha e Qendrës për Transfuzionin e Gjakut, Bukurije Zhubi, tha për Radio Kosovën se fushata për dhurimin vullnetar të gjakut ka filluar me 10 qershor dhe është duke shkuar mirë.
“Prej datës 10 deri me 17 qershor ka filluar fushata e dhurimit vullnetar të gjakut për hir të 14 qershorit të ditës ndërkombëtare të dhurimit vullnetar të gjakut. Dëshiroj që t’i njoftoj të gjithë qytetarët të cilët janë të interesuar e që nuk kanë dhuruar ende gjak e që donë të dhurojnë, të kyçën në aksionin për dhurimin e gjakut”, tha ai.
Zhubi tutje thotë se gjatë muajit të Ramazanit kishin një rënie të vogël të rezervave të gjakut, mirëpo duke ju falënderuar dhuruesve vullnetarë që janë paraqitur gjatë këtyre ditëve, gjendja është përmirësuar.
“Interesimi për dhurimin e gjakut është në rritje, dhe kjo ngritje na gëzon shumë, sepse në këtë mënyrë arrihet të zvogëlohet numri i dhurimit familjar dhe të rritët dhurimi vullnetar, i cili tregon shifra të rritjes së dhurimit vullnetar të gjakut”, thotë Zhubi.
Ndryshe shënimi i kësaj dite bëhet në shenjë falënderimi për të gjithë ata që kontribuojnë me dhurimin e gjakut të tyre për të shpëtuar jetën e atyre që kanë nevojë.























