Hoti: Prishtina me 23.3 mln euro suficit si pasojë e mosdijes
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti deklaroi se Komuna e Prishtinës në vitin 2018 ka shpenzuar vetëm 43% mjeteve për investime kapitale, që sipas tij është niveli më i ultë i realizimit të projekteve kapitale krahasuar me të gjitha komunat e Kosovës.
“Si rezultat i dembelisë e mosdijes të udhëheqësisë së Komunës për të kryer projektet kapitale, Komuna e Prishtinës ka suficit prej 23.3 milionë euro”, shkroi Hoti.
Duke cituar të dhënat e raportit financiar për vitin e kaluar të Qeverisë së Kosovës, Hoti thotë së prej kësaj shume, 9.5 milionë euro janë mjete që nuk janë shpenzuar që nga viti 2017 dhe 13.8 milionë euro nga viti 2018.
“Sa parqe, rrugë e ndriçim do të ishin kryer me 23.3 mil euro? Sa shkolla do të ishin pajisur me kabinete për punë praktike për nxënës? Sa drunjë do të ishin mbjellë? Sa parkingje do të ishin ndërtuar?”, përfundoi Hoti























