Juventusi, Ronaldo dhe Champions, "rrëfehet" Sarri
Maurizio Sarri i ka idetë e qarta. Trajneri i ri i bardhezinjve në një intervistën për kanalin zyrtar të klubit ka folur për sezonin e ri, objektivat, Cristiano Ronaldon si dhe Champions League, një kompeticion ku Juve ëndërron të triumfoj dhe ai premton se do ta provoj ta fitoj duke aplikuar futboll argetues.
"Ishte momenti të kthehesha në shtëpi dhe Juventus-i ka qenë klubi që më ka kërkuar me më shumë bindje. Kjo më ka bërë të marr një vendim shumë shpejt", ka thënë ish-trajneri i Napoli-t”, tha ai.
"Do të jetë shumë e vështirë të përsëritet ajo që është bërë në pesë vitet e fundit. Objektivi është që të harrohen të gjithë këto përgjegjësi dhe të argëtohemi, duke argëtuar publikun, me shpresën që t'i japim vazhdimësi fitoreve dhe rezultateve pozitive. Do të doja që skuadra të ruante disa karakteristika nga ekipi i Allegri-t, që të jepte përshtypjen se mund ta vije në vështirësi, por papritur të jepte përshtypjen e kundërt", shtoi Sarri duke vazhduar:
“Më pas është e qartë se filozofia e lojës mund të jetë e ndryshme, por nuk duhen humbur të gjitha aspektet pozitive të ekipit të mëparshëm. Cristiano? Është më i rëndësishëm lojtari për mua sesa unë për lojtarin, me përjashtim të rastit që unë të gjej një lojtar të ri, të cilin mund ta ndihmoj të përmirësohet".
Champions është ëndrra e madhe dhe trajneri e pranon se ky është misioni i tij më i madh në Torino, transmeton oranews.
“Duhet ta shikojmë Europën për atë që është, një Juve kaq dominuese në Itali të bën të mendosh se mund të bëjë të njëjtën gjë edhe në Europë, por realiteti është ndryshe. Juventus është mes 10 klubeve më të mirë në nivel europian, por po flasim për sistemet më të mira të mundshme. Në fund, objektivi është vetëm një: të fitojmë".
Në fund, trajneri italian ka folur edhe për ndryshimet mes Chelsea-t dhe Juventus-it:
"Përshtypja e parë që kam pasur pas ardhjes tek Juventus ka qenë vetëdija se kam ardhur te një klub shumë i rëndësishëm. Kam pasur fatin të vija këtu nga Chelsea, një tjetër klub i rëndësishëm, por këtu ka një histori të gjatë, njëqindvjeçare, atje është njëzetvjeçare", u shpreh Sarri qe theksoi se pret një kampionat interesant, ku në bankina do të ketë disa trajnerë ekspert.























