Antonio Valencia largohet nga Unitedi pas 10 vitesh
Antonio Valencia i jep fund pas 10 vitesh karrierës te Manchester United. Anësori 33-vjeçar ka vendosur ta vijojë karrierën e tij në Ekuador, te skuadra Liga Deportiva Universitaria.
Është vetë klubi më bazë në kryeqytetin Kuito që ka zyrtarizuar lajmin, madje duke shpërndarë edhe një video ku Valencia shfaqet me fanellën e re.
Pavarësisht se mbrojtësi i krahut të djathtë kishte oferta për të qëndruar në Premier League, vendosi për arsye emotive që t’i bashkohej skuadrës së vendlindjes.
Valencia e ka nisur karrierën në Ekuador me skuadrën El Nacional, para se të transferohej në Spanjë, te Villarreali në vitin 2005.
Kalimi tek Wigan, në vitin 2008, i shërbeu si trampolinë, pasi ra në sy të Alex Ferguson, që drejtonte në atë Kohë Manchester United. Më “Djajtë e Kuq” ka luajtur për 10 vjet, duke zhvilluar 339 ndeshje në total.
Me fanellën e United ka fituar 2 tituj të Premier League-s, 1 FA Cup dhe 2 Kupa të Ligës si dhe Europa League-n në vitin 2017, nën drejtimin e Jose Mourinhos.























