VIDEO - “Ardhja e AC Milanit në Prishtinë, ka koston e madhe”
Organizatori i ndeshjes miqësore mes Feronikelit dhe AC Milanit, Agron Selimi, në emisionin “Imazh” në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ka folur rreth përgatitjeve për këtë ndeshje të madhe si dhe për çmimin e biletave.
Kampionët e Kosovës më 10 gusht në “Fadil Vokrri” presin klubin e famshëm italian, AC Milan.
Selimi duke folur çmimin e biletave që në opinionin tonë vlerësohen çmime të larta për ndeshjen Feronikeli-Milan, tha se një ndeshje e tillë ka koston e madhe, sepse sipas Selimit, ardhja e një klubi të madh siç janë “rossonerët” ka koston e madhe. Selimi bëri të ditur se në opsion ka qenë Milani dhe Real Madridi, por një ndeshje e tillë fillimisht ishte paraparë të luhet jashtë Kosovës.
“Ndeshja që behet është krejt private. Unë si organizatore, kontaktet që i kam. Me kanë kontaktuar loja farë nuk ka qenë të luhet fare në Kosovë, ishte parapare të luhet në Gjenevë, pastaj në një vend tjetër. Me kanë pyetur për në Ballkan, dhe ka qenë një propozim për Shkupin, por kostoja e një lojë të tillë në Shkup ishte marramendëse po të vinte Real Madridi ose Milani, kostoja ishte shumë më e madh. Unë me pas propozova që Milani të vjen në Kosovë dhe se kostoja ishte shumë më e mirë, propozimi im kaloi dhe tash jemi këtu ku jemi, edhe pse pak sa biletat janë të shtrenjta”, tha Selimi.
“Po e marr një shembull shumë të thjeshtë, gjinia femërore, nuk ka person që shkon në dasem që një grua që nuk shkon të frizerka më i shpenzuar 100 euro apo 150 euro. E mora këtë shembull, sepse edhe ndeshja e futbollit është një luks”, theksoi ai.
Selimi ka treguar edhe mënyrën së si blihen biletat. Sipas tij, deri tash janë shitur rreth 3 mijë bileta, por ai është i bindur se shumë shpejtë do të shiten gjitha biletat.
“Blerja e biletave bëhet në webfaqe, është forma e njëjtë si e ndeshjeve të kombëtareve si të Shqipërisë e poashtu edhe të Kosovës kur luante në Shkodër. Deri tash janë shitur dikund 3 mijë bileta, nga e hëna kanë filluar dhe më këtë ritëm do të shiten më shpjet”, pohoi Selimi.
Kujtojmë se çmimet për ndeshjen Feronikeli-Milan, nisin nga 35 euro deri tek 155 euro.
Ndërkaq, Arber Lepaja, presidenti i Milan klub të Kosovës, shprehet tejet i lumtur që do ta shoh Milanin në Prishtinë. Ai thotë se as në ëndërr nuk e ka pa që Milanin do ta shoh në Prishtinë. Edhe Lepaja thotë se çmimi i biletave është shumë i madh, dhe sipas tij, shumë fansa milanist që janë në Kosovë, tashmë kanë konfirmuar se për shkak të çmimit të madh të biletave nuk do të jenë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Natyrisht kjo është një ëndërr e secilit prej nesh. Kam pas fatin si presidenti i klubit që të shoh Milanin në “San Siro, por për ta parë Milanin në Prishtinë nuk e ka pa as në ëndërr”, theksoi Lepaja.
“Kanë votuar rreth 8 mijë milanista dhe shumica nga ta nuk do ta blejnë një biletat kaq të shtrenjte”, thotë ai.
Ndërkohë, organizatori Selimi ka bërë të ditur se Milani do të vjen me lojtarët më të mirë, dhe sipas tij, pjesë e udhëtimit te milanistëve në Prishtinë do të jenë edhe legjendat si Schevchenko, Maldini, Bobani...























