Saviçeviç shfryn ndaj trajnerit serb: Pranoi se na tradhtoi
Presidenti i Federatës së Futbollit të Malit Të Zi, Dejan Saviçeviç, së fundmi ka folur për ish-trajnerin serb, i cili u largua pikërisht në ndeshjen kundër Kosovës.
Në një intervistë ka folur, për kohën kur trajneri serb i cili drejtonte Malin e Zi asokohe, refuzoi ta drejtonte ekipin në ndeshjen kundër Kosovës. Ai e pranon se këtë vendim nuk e kishte pritur aspak mirë: “Nuk i kemi pritur disa gjëra nga disa njerëz. Tumbakovic më ka zhgënjyer si person dhe si profesionist. Si mund të të thërrasë dikush pak minuta para orës 12 dhe të të thotë: ‘nuk e drejtoj Malin e Zi. Nuk të bën patriot nëse thërret pak minuta para orës 12. Kur e kemi kuptuar se do ta kemi Kosovën në grup, ka mundur të bëhej aq patriot dhe të më thotë: ‘Dejan, nuk mundem ta drejtoj ekipin në atë ndeshje’. Ka mundur ta bënte këtë në muajin mars, kur i kemi zhvilluar ndeshjet e para, të vinte tek unë dhe të më thoshte: ‘Shiko, Dejan, Kosova do të vijë këtu, por unë nuk mundem të jem aty’. Më pas erdhi e më tha: ‘Nëse këta lojtarë nuk luajnë, nuk do ta drejtoj ekipin’. Ajo që flitet nuk ka të bëjë me patriotizmin”, u shpreh Saviçeviç.
Gjithashtu ai tregoi se çfarë ka diskutuar më pas: “Nëse do të kishte bisedë të ashpër, nuk do të ishte e mirë për të. Unë jam përmbajtur. E kam pasur një diskutim me të. Në atë takim ai pothuajse qau. Këtë e dinë edhe lojtarët, të cilët kanë qenë aty. Ai tha: ‘Ju kam tradhtuar’, e kujtoj mirë atë që e tha”, ka përfunduar 52-vjeçari.
Kujtojmë se Saviçeviç ka qenë një nga lojtarët më të mirë të Milanit, ndërsa tani ka postin e kreut të Federatës së Futbollit të Malit të Zi.























