Maldini mohon negociatat me Modriçin
BKT
Sport

Maldini mohon negociatat me Modriçin

Drejtori Teknik i Milanit, Paolo Maldini ka folur për ecurinë e merkatos së kuqezinjve, që kanë arritur të mbyllin vetëm 3 marrëveshje, ndërsa ekipi vijon përgatitjet nën drejtimin e trajnerit Marco Giampaolo.

Legjenda e Milanit tha se po ndjekin me kujdes disa profile interesantë lojtarësh, kryesisht të rinj me perspektivë, ndërsa mohoi se ka kontaktuar me yllin e Realit të Madridit, Luka Modriç.

“Modriç është një emër i madh, që do të ishte perfekt për ne, por nuk e kemi kontaktuar, pasi parametrat tona ekonomike nuk na lejojnë të negociojmë me futbollistë të tillë. Synojmë profile lojtarësh të rinj, të fortë dhe me dëshirë për t’u rritur, dhe aktualisht kemi disa futbollistë nën vëzhgim. Megjithatë merkatoja vazhdon deri më 2 shtator dhe kemi luksin të presim ende, që të ulen disi çmimet, pasi tani të gjithë kërkojnë shumë”, tha Maldini.

Drejtori Teknik i kuqezinjve komentoi me nota pozitive edhe afrimet e Milanit deri tani, si Krunic dhe Theo Hernandez, teksa u ndal veçanërisht te ky i fundit, duke konfirmuar besimin e madh ndaj tij.

“Krunic ka treguar gjëra të mira dhe ka një marzh të lartë përmirësimi ende, ndaj besojmë se do të jetë një element i vyer për Milanin. Sa i përket Hernandez, ai është një 21-vjeçar që synon të bëhet një nga 3 më të mirët në botë dhe vjen te Milani si fitues i Ligës së Kampionëve. Presim shumë nga ai këtë sezon”, deklaroi legjenda kuqezi.