Ernest Daka i pari në "Brezovica 2019"
BKT
Sport

Ernest Daka i pari në "Brezovica 2019"

Njëri nga garuesit më të mirë në auto sportin e Kosovës, “veterani” Ernest Daka është fitues i garës Brezovica 2019, gara e tretë me radhë e disiplinës malore.

Shtegun e gjatë 7.7 kilometra, Daka me BMW 325 e kaloi për kohën 04.57.161 minuta. “Normalisht që jam i kënaqur me fitoren. Ndoshta sot ishte dita ime siç thuhet
shpeshherë në sport, ndoshta edhe moti me shi më konvenoi më shumë se garuesve tjerë. Sidoqoftë, ishte një garë e mirë, e cila pati rrjedhë pak më ndryshe nga ato të
mëhershmet, sepse dje nuk arritëm të zhvillojmë vozitjet testuese, pastaj sot fillimisht e patëm një të tillë e më pas vozitjen zyrtare. E rëndësishme është që gara ka përfunduar pa probleme dhe uroj që kështu të jetë edhe në vazhdim të kampionatit”, ka thënë Daka pas fitores.
Pozita e dytë i takoi Besfort Bunjakut, i cili me Opel Astra, në krahasim me fituesin u vonua për 02.892 sekonda, ndërsa podiumi i fituesve në plasmanin e përgjithshëm u plotësua me Valon Jahën, i cili me BMW për 04.509 sekonda ishte më i ngadalshëm se Daka.  Në përgjithësi gara është përshkuar me rivalitet, por edhe me disa incidente që ndodhën për shkak të shtegut të
lagur, por që për fat të mirë nuk patën pasoja të mëdha.