Sot starton Superliga, derbi luhet në kryeqytet
Sot edhe zyrtarisht “hapet perdja” e edicionit të ri 2019/20 të elitës së futbollit kosovar.
Xhiroja e parë sjellë dy derbi lokal e një sfidë tjetër për t’u parë, duke shënuar kështu një fillim shumë interesant të një kampionati që pritet të jetë i paparashikueshëm.
Tri ekipet që ndjekën vitin e kaluar titullin kampion, zbresin sot në fushat e Drenasit, Prishtinës e Podujevës për të treguar që edhe në këtë edicion do të jenë ato që do të thonë fjalën e tyre në luftën për kurorën e shumëkërkuar. Feronikeli fillon këtë edicion me sfidën ndaj Drenicës.
Takimi që është fituar lehtësisht nga Nikli tri herë edicionin e kaluar, fillon prej orës 17:00 dhe gjykohet nga Mervan Bejtullahu. Në të njëjtën kohë fillon edhe derbi i kryeqytetit mes Flamurtarit e Prishtinës.
Kuqezinjtë do të luftojnë për të treguar që jo rastësisht ndalën Prishtinën në dy prej tri takimeve të sezonit të kaluar. Duhet theksuar që Flamurtari ndeshjet si vendës do t’i luajë në “Xhemajl Ibishi” e jo më në “Fadil Vokrri”.
Ndeshje tjetër shumë interesante luhet në “Zahir Pajaziti”, ku Llapi pret Vushtrrinë. Të gjitha këto tri ndeshje fillojnë nga ora 17:00.























