Mancini: Italia me objektiva të qarta
Italia do të përballet nesër pasdite me Armeninë në Yerevan, në sfidën e vlefshme për eliminatoret e Euro 2020-ës, ndërsa tekniku i të kaltërve, Roberto Mancini doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp.
Ai deklaroi se objektivi i “të kaltërve” është që të sigurojnë kualifikimin sa më shpejt të jetë e mundur dhe se për këtë duhet të marrin maksimumin e pikëve, ndonëse pranoi se transferta armene nuk do të jetë aspak e lehtë.
“Është një transfertë e vështirë, pasi kundërshtari ka bërë mirë në Greqi dhe për më tepër, është përpara nesh me përgatitjet fizike. Megjithatë objektivi ynë mbetet i pandryshuar, të sigurojmë sa më shpejt kualifikimin dhe për ta bërë këtë, duhet të fitojmë nesër”, deklaroi Mancini.
Trajneri i Italisë kërkoi që skuadra e tij të vazhdojë punën e ndërprerë në qershor, ndërsa foli me superlativa edhe për mesfushorin e Interit, Stefano Sensi, i cili po shkëlqen këto javë të para të kampionatit. Mancini nuk ngurroi të komentojë edhe formacionin, transmeton SS.
“Në shtator kemi vuajtur zakonisht, por këtë herë dua të shoh vazhdimin e asaj pune të mirë në qershor. Sensi po bën vërtetë mirë dhe mund të luajë, pasi kemi dy ndeshje brenda pak ditësh. Sa i përket ndeshjes me Armeninë, kemi ndarë mendjen për 10 prej futbollistëve dhe na ka mbetur vetëm një dyshim i vogël”, tha trajneri italian.























