Vëllaznimi në situatë alarmante, rrezikon shuarjen
Ekipi i futbollit Vëllaznimi, përmes një deklarate për media, ka thënë se situata në klub është alarmante dhe se nuk mbahet mend që skuadra të ketë qenë ndonjëherë në situatë më të vështirë se që është aktualisht, duke paralajmëruar edhe shuarjen.
Sipas tyre, ka probleme të mëdha financiare por edhe organizative, pasi është pa kryetar e pa kryesi.
Agim Cana, i cili për një vit e gjysmë ka dhënë kontribut si kryetari klubit, ka paraqit dorëheqje nga ky post, dorëheqje kjo që nuk është pranuar nga zyrtarët më të lartë komunal. Pavarësisht kësaj, ai, tash e një kohë është larguar nga Kosova.
“Në ndërkohë fare nuk është sqaruar se kush do të merr përsipër shlyerjen e borxheve të prapambetura por as kush do të merr përsipër financimin e mëtutjeshëm të veprimtarisë së klubit. Bizneset gjakovare nuk kanë dëshmuar gatishmëri të theksuar, ndoshta edhe nga pamundësia, që të ndihmojnë ndjeshëm financiarisht klubin, ndërsa vetë Komuna e Gjakovës nuk po gjen formë që ta bëjë një gjë të tillë”, thuhet në deklaratë.
Në deklaratë, thuhet se këto probleme financiare e organizative kanë reflektuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në skuadrën e seniorëve dhe të juniorëve të cilët kanë refuzuar që të stërviten.
“Të pakënaqur me mos shlyerjen e borxheve të prapambetura dhe mos pagesën e pagave për këtë edicion të garave, lojtarët dje nuk pranuan të stërviten, duke paralajmëruar se nuk do t’i kthehen stërvitjeve deri sa të mos përmbushën obligimet financiare ndaj tyre”, thuhet në deklaratë. Madje, sipas kësaj deklarate, nëse nuk ka një zgjidhje emergjente, klubi mund të shuhet.
“Kjo ka bërë që situata në klubin Vëllaznimi të jetë vërtet alarmante, dhe nëse brenda pak ditëve të ardhshme nuk gjendet ndonjë zgjidhje emergjente, klubi i formuar para 94 vitesh dhe i regjistruar zyrtarisht para 92 vitesh, fatkeqësisht, rrezikon seriozisht të pushon aktivitetin përkohësisht apo për një kohë më të gjatë”, përfundon deklarata.























