Sonte derbi i madh, Manchester United - Arsenal
Magjia e Premier League vjen këtë të hënë me duelin e zjarrtë Manchester United-Arsenal.
Java e 7-të e kampionatit anglez mbyllet pikërisht me një sfidë mes dy emrave të mëdhenj në ishull por që në vitet e fundit nuk kanë rivalizuar dot në garën për titull. Edhe ky sezon ka nisur keq sidomos për Manchester United që ka grumbulluar vetëm 8 pikë në 6 javë me të ardhmen e trajnerit Ole Gunnar Solskjaer që është vënë në pikëpyetje të madhe, me norvegjezin që rrezikon shkarkimin.
Në krahun tjetër Arsenali pas dy fitoresh në 2 javët e para, bëri shumë gabime deri te java e kaluar kur arriti një sukses të vështirë ndaj Aston Villas. Topçinjtë e Unai Emery deri tani numërojnë 11 pikë, 3 më shumë se Djajtë e Kuq. United ka probleme me dëmtimet pasi Martial, Jones e Baily vazhdojnë të qëndrojnë jashtë ndërkohë që edhe Rashford e Pogba rrezikojnë të mos luajnë. Sezonin e kaluar Arsenali barazoi në Old Trafford dhe fitoi në shtëpi ndërkohë që United me Solskjaer në stol i eliminoi nga FA Cup topçinjtë. Vështirë të parashikohet kjo ndeshje duke parë formën e të dyja skuadrave megjithatë golat dhe spektakli janë të garantuar në takimin që fillon në orën 21:00.























