Europa League, spikasin ndeshjet Feyenoord-Porto dhe Lazio-Rennes
Europa League rikthehet me raundin e 2-të të ndeshjeve në grupe.
Manchester United pas sfidës së fituar me vështirësi ndaj Astanas luan në transfertë ndaj AZ Alkmar, një ndeshje e një vështirësie më të lartë kjo për "Djajtë e Kuq" që gjithsesi do të tentojnë fitoren pavarësisht mungesave për të hedhur një hap të sigurtë drejt kualifikimit, ndeshje kjo që fillon në orën 18:55. Në të njëjtën orë një tjetër pretendente për suksesin final, Roma luan në transfertë ndaj austriakëve të Wolfsberger që në ndeshjen e parë surprizuan Borussia Moenchengladbach duke fituar 0-4 brenda në Gjermani. Takimi më i rivalizuar i orës 18:55 pritet të jetë ai mes Feyenoord dhe Portos. Holandezët humbën ndeshjen e tyre të parë në grupin H ndaj skocezëve të Rangers ndërkohë që luzitanët fituan 2-1 në shtëpi ndaj Young Boys. Në mbrëmje në orën 21:00 vëmendjen më të madhe e tërheq takimi Lazio-Rennes sidomos pas humbjes që pësoi skuadra kryeqytetase në ndeshjen e parë ndaj rumunëve të Cluj. Takime të lehta në letër për Arsenalin që pret në Emirates belgët e Standart Liezh por edhe për Sevillan që luan ndaj Apoel Nicosias.























