RTK dhe FFK u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit ​​​​​​​
BKT
Sport

RTK dhe FFK u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit ​​​​​​​

Drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës, Ngadhnjim Kastrati së bashku me menaxherin e mediave on-line në RTK, Mentor Shala, sot janë pritur në zyret e Federatës së Futbollit të Kosovës, nga kryetari Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu.

Prijësit e FFK-së njoftuan në përgjithësi për punët që i ka bërë dhe të cilat po vazhdon t'i bëjë ky institucion, duke u fokusuar në shumë sfera, derisa si kryefjalë ishin sukseset e Kombëtares sonë në arenën ndërkombëtare.

Nga ana tjetër drejtuesit e RTK-së, uruan ata të FFK-së, për punën e mirë të deritanishme të këtij institucioni e veçanërisht u fokusuan në sukseset e Kombëtares A të Kosovës, por edhe të gjitha grupmoshave.

Duke e ditur bashkëpunimin e deritanishëm të shkëlqyer ndërmjet RTK-së dhe FFK-së, në këtë takim ndër të tjera u bisedua edhe për gjetjen e një mundësie që televizioni publik i Kosovës, krahas transmetimit të ndeshjeve të Kombëtares A, por edhe atyre të grupmoshave tjera dhe në konkurrencën e femrave, të thellojë bashkëpunimin edhe në transmetimin e ndeshjeve të Superligës së Kosovës.

Të dyja palët u zotuan se do të shohin çdo mundësi e cila do të jetë e favorshme për të arritur këtë objektiv, i cili shkon në dobi të të dyja insitucioneve e veçanërisht të publikut qoftë brenda territorit tonë ashtu edhe jashtë tij.

Palët u dakorduan që të takohen së shpejti për finalizimin e kësaj marrëveshje.