UP-ja do të punojë për programe të reja të studimit
BKT
Lajme

UP-ja do të punojë për programe të reja të studimit

Albana Karaj

Nevoja për ndryshimin dhe ristrukturimin e programeve të studimit që u ofrohen të rinjve, është i domosdoshëm, thonë ekspertët. Ata thonë se për këtë duhet patjetër që të hartohet një strategji kombëtare për këto profile, duke e lidhur atë me nevojat që ka vendi. Ndërkohë, Universiteti i Prishtinës është duke parë mundësinë për të bërë ristrukturimin e programeve të studimit.

Arsimi i lartë duhet të ketë një strategji kombëtare për profilet e studimit. Kështu thotë njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, nga Instituti “Edguar”. Ai tha për Radio Kosovën se kjo strategji duhet të përfshijë jo vetëm institucionet publike të arsimit të lartë, por edhe ato private e gjithashtu edhe komunitetin e biznesit.

Prorektori për mësimdhënie dhe çështje të studentëve në Universitetin e Prishtinës, Hysen Bytyqi, thotë se aktualisht universiteti është duke parë mundësinë e ristrukturimit të programeve ekzistuese, ku disa prej tyre nuk do të shkojnë as në procesin e ri-akreditimit.

Megjithatë, sipas ekspertëve, ende nuk është bërë ndonjë studim nga institucionet përkatëse, për të parë se ku do të jenë studentët pas diplomimit të tyre. Ata thonë se programet aktuale që ofrojnë institucionet e arsimit të lartë, tashmë duhet t’u përshtaten trendëve botërorë.


MË SHUME NGA Lajme