Interi e humb rastin e artë për ta marrë kreun e Serisë A
Juventus gabon në Lecce, por Interi nuk ia del të përfitojë dhe të rimarrë kreun, pasi nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 në “San Siro” ndaj Parmës, në një sfidë ku protagonist ishte një ish zikaltër, Yann Karamoh.
Sfida nisi më mirë për Parmën, që shumë shpejt kërcënoi me një gjuajtje mjaft të bukur të Dermakut nga distanca, por mbrojtësi shqiptar, që luante ndeshjen e dytë si titullar, gjeti në gatishmërinë e Handanoviç, që bëri një pritje spektakolare.
Golin e parë e gjetën zikaltrit në minutën e 23-të me anë të Antonio Candrevës, që gjuajti gjatë zhvillimeve të një goditjeje këndore dhe topi u devijua në këmbët e dy futbollistëve të Parmës, për t’u ndalur në rrjetën e portierit Sepe.
Vetëm 3 minuta më vonë ishte Marselo Brozoviç që gaboi gjithçka në pasim, duke i dhuruar një top ish shokut të tij të skuadrës, Yann Karamoh, dhe ky i fundit, që sot luante për herë të parë nga fillimi, gjuajti bukur nga distanca duke mposhtur Handanoviç dhe rikthyer baraspeshën.
Pa marrë ende veten nga goli i barazimit, Interi ndëshkohet sërish në minutën e 30’, ku edhe në këtë rast janë protagonistë Brozoviç që gabon dhe Karamoh që avancon drejt zonës dhe shërben saktë për Gervinhon, i cili mposhti për herë të dytë kapitenin Handanoviç.
Me disavantazhin e një goli u mbyll edhe pjesa e parë, ndërsa në fillim të pjesës së dytë ishte Romelu Lukaku që riktheu baraspeshën, pas një pasimi të Candrevës, ndonëse për të bërë të vlefshëm golin, u desh ndërhyrja e VAR-it dhe një vonesë rreth 4- minutëshe.
Nga ky moment e deri në vërshëllimën e trefishtë të arbitrit Chiffi, Interi zhvendosi lojën në gjysmëfushën e Parmës dhe krijoi një sërë mundësish me Lukakun, De Vrij e Espozito, që “flirtuan” me golin, por nuk arritën të dërgojnë topin në rrjetë dhe të marrin fitoren./SS/























