Lampard i beson nga minuta e parë, Pulisic ia shpërblen me tre gola
Blerja më e shtrenjtë e verës për Chelsean, që erdhi nga Borussia e Dortmundit, Christian Pulisiç ishte protagonist mbrëmjen e sotme në sfidën që Chelsea fitoi me rezultatin 2-4 në transfertë ndaj Burnley.
Fantazisti amerikan më në fund arriti të bindë trajnerin Lampard që t’i besojë një fanellë titullari për herë të parë këtë sezon në Premier League dhe e shpërbleu mjaft mirë duke shënuar tre herë dhe duke marrë topin në shtëpi.
Pulisiç shënoi dy herë në pjesën e parë dhe një herë në fillim të pjesës së dytë, ndërsa në minutën e 58’ ishte braziliani Willian, që çoi shifrat në 0-4.
Vendasit u zgjuan vonë dhe arritën të shënojnë dy herë në pesë minutat e fundit me Rodriguez dhe McNeil, që gjithsesi nuk mjaftuan për të marrë minimalisht një pikë.
Më herët në Premier League, Everton humbi me rezultatin 3-2 në transfertën ndaj Brightonit, ndërsa West Ham dhe Sheffield United u ndanë në barazim 1-1./SS/























