Feronikeli e përmbysi Prishtinën në “Fadil Vokrri”
Skuadra kampione në fuqi, Feronikeli ka shënuar fitore si mysafire në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet në përballje me Prishtinën, në kuadër të javës së 14-të, me rezultat 3:2.
Skuadra nga Drenasi dy herë ishte në disavantazh, por në fund arriti t’i gëzohet fitores. Prishtina kaloi në epërsi në minutën e dytë, kur Ahmed Januzi shënoi nga penalltia. Vetëm dy minuta më pas Feronikeli barazoi shifrat po ashtu nga penalltia me gol të Jean Carioca Da Silva-s. Prishtina e riktheu epërsinë në fillim të pjesës së dytë, teksa realizoi me kokë Diar Miftaraj. Mirëpo, as ky gol nuk i demoralizoi kampionët në fuqi, të cilët fillimisht në minutën e 59-të e barazuan rezultatin me golin e Lapidar Lladrovcit, derisa në minutën e 88-të Jean Carioca Da Silva e shënoi golin e fitores.























