Pingpong: Mbahet turneu i fundit Top 8 për U21
Sot në Prishtinë u mbajt turneu i fundit për këtë vit për grup-moshën U21 në pingpong, ku morën pjesë tetë lojtarët më të mirë sipas Ranglistës së FPPK-së për këtë kategori.
Te femrat, siç është pritur lojtarja më e mire për grup moshën U21, Alma Mehmeti e dëshmoi këtë duke i fituar të gjitha ndeshjet. E dyta doli Shega Hashani, me 5 fitore dhe dy humbje, pasuar nga Bleona Mehmeti dhe Jerina Rexhepi në pozitat tre dhe katërt.
Adea Babuni doli e pesta, Edona Shabani e gjashta. Munguan Alma Hoxha dhe Loresa Imeri.
Edhe te djemtë nuk pati ndonjë befasi, pasi vendosi takimi ndërmjet dy më të mirëve, Kreshnik Mahmutit dhe Fatih Karabaxhakut që në xhiron e parë.
Kreshniku ishte më i disponuar se kolegu i klubit Fatihu dhe në ndeshjet tjera, përveç ndaj Blendon Lutës nuk hasi shumë në vështirësi. Ndërkaq Fatihu e vërtetoi vendin e dytë, duke lënë prapa në vendin e tretë Lutën e disponuar, i cili u mposht nga Mahmuti, Karabaxhaku dhe Xhaka.
Në vendin e katërt u rendit prizrenasi tjetër Blend Hajdari, kurse Sylejman Qerkini doli i pesti. Tomor Xhaka doli i gjashti, Elvedin Çolakoviq i shtati dhe Aulon Bivolaku në vendin e fundit.
Tre të parët u nderuan me diploma, medalje e kupa, ndërsa të tjerët me diploma.
























