Zyrtare: Ky është roli i Bunjakit te Feronikeli
Ish-përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki, ka marrë postin e këshilltarit të klubit te FC Feronikeli.
Bunjaki që nga largimi nga Kosova, nuk ka qenë te ndonjë skuadër dhe ka arritur marrëveshje me kampionin e Kosovës.
Kjo është bërë zyrtare nga klubi i Drenasit përmes një postimi në Facebook, transmeton KosovaPress.
“Ai i besoi projektit të klubit, me në krye presidentin Naser Ramaj, me të cilin janë akorduar për një bashkëpunim afatgjatë për riorganizimin e klubit”, thuhet në postim.
Kujtojmë se Bunjaki është njëri nga më meritorët që sot Kosova luan një futboll cilësor.
Albert Bunjaki, pretendon në rritje të cilësisë së FC Feronikelit dhe Superligës së Kosovës, ku konkurrenca e lartë do të bënte të domosdoshëm fuqizimin e gjitha klubeve pjesëmarrëse.
Bunjaki nuk është i pari nga familja e tij si pjesë e FC Feronikelit, pasi që familja e tij ka qenë e lidhur ngushtë me klubin gjatë brezave.
“Gjyshi i tij ishte sponsori i parë i KF Feronikelit në atë kohë, gjithashtu edhe babai i tij ishte pjesë e klubit tanë, vazhdimësinë e tyre po e ndjek tani, Albert Bunjaki. Bunjakit i dëshirojmë shëndet dhe sukses në projektin e KF Feronikelit”, njofton Feronikeli.























