Messi: Është gjithmonë mirë ta mposhtësh Brazilin
Pasi Argjentina e mposhti Brazilin në ndeshjen miqësore të së premtes në King Saud University Stadium në Arabinë Saudite, argjentinasi Lionel Messi e komentoi rivalitetin mes dy ekipeve kombëtare.
Lionel Messi ishte i kënaqur me fitoren e Argjentinës kundër Brazilit, duke thënë se rivaliteti mes dy Kombëtareve nga Amerika e Jugut është më i fuqishëm se kurrë më parë, transmeton Express.
Goli i Messit e bëri dallimin
Në kthimin e tij në ekipin kombëtar, Messi e shënoi golin e vetëm në ndeshjen që u zhvillua në Riad dhe Argjentina regjistroi fitore me epërsi minimale 1:0 në ndeshjen miqësore.
Ylli argjentinas arriti të shënojë gol pasi iu kthye topi nga pritja që Alissoni ia bëri goditjes së tij nga pika e penalltisë, përderisa Gabriel Jesus e kishte humbur një penallti për Brazilin vetëm disa momente më parë.
Fitorja kundër Brazilit ishte e para e Argjentinës kundër rivalit të vet që nga viti 2017 dhe Messi e theksoi rëndësinë e saj.
Rivaliteti Brazil – Argjentina
“Rivaliteti është më i madh sesa kurdo më parë dhe është gjithmonë mirë ta mposhtësh Brazilin. Kur fiton, punon më mirë. Idetë e trajnerit i shfaqëm në fushën e lojës në një mënyrë tjetër dhe kjo është diçka pozitive për atë që do të vijë më pas”, tha Messi.
Argjentina do të përballet me Uruguain në një tjetër ndeshjet miqësore të hënën, përderisa ata po i vazhdojnë përgatitjet për kualifikimet për Kupën e Botës, të cilat do të fillojnë në mars.























