La Liga vazhdon sot me superderbin Atletico Madrid-Barcelona
Dy skuadrat më të mira të kampionatit spanjoll në dy edicionet e fundit Barcelona dhe Atletico e Madridit do të përballen në kryeqytet në stadiumin Wanda Metropolitano, për sfidën më të fortë të javës së 15-të në Primera Division.
Një ndeshje që ngjall si gjithmonë shumë interes, megjithatë për hir të së vërtetës pavarësisht rivalitetit tepër të ashpër që kanë dy klubet përsëri bëhet fjalë për një duel që është dominuar pikërisht nga skuadra blaugrana.
Më 23 dhjetor Diego Simeone mbush plot 8 vjet në timonin e “Los Colchoneros”, sidoqoftë “bardhekuqtë” duket sikur nuk e kanë më forcën e dikurshme. Natyrisht trajneri argjentinas i ka bërë goxha dëm klubit katalanas, teksa e ka flakur pa mëshirë jo një, por dy herë nga Champions League, madje që në fazën çerekfinale në vitet 2014 e 2016, sidoqoftë është fakt që Atletico nuk ia ka dalë mbanë për ta mposhtur Barçën në 8 përballjet e tyre të fundit, madje “Los Colchoneros” kanë regjistruar vetëm 1 fitore të vetme në 17 sfidat e fundit ndërmjet tyre në të gjithë kompeticionet.
Ndeshja do të luhet në Madrid ku “bardhekuqtë” gjithsesi luajnë mirë dhe janë tepër të fortë. Të dy ekipet zbresin në fushë pas paraqitjeve të ndryshme në mesjavë, ku Atletico humbi minimalisht në Torino me Juventusin, ndërsa Barça mundi pa shumë vështirësi Borusian e Dortmundit.
Krejt ndryshe nga skuadra e Ernesto Valverdes “Los Colchoneros” duhet të presin edhe dhjetë ditë të tjera, për ta garantuar pjesëmarrjen e tyre në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë në Champions, sidoqoftë pavarësisht ecurisë së tyre të ndryshme në Europë, në kampionat diferenca ndërmjet dy skuadrave për momentin përmblidhet në thjesht tre pikë, megjithëse siç dihet më datë 18 dhjetor Barça ka për të rikuperuar gjithashtu edhe “El Clasico”-Division me Realin.
Atletico është një ndër katër skuadrat e vetme në Primera Division që nuk njeh ende humbje në shtëpi, skuadrat e tjera janë Barça, Reali dhe Valencia. Me kalimin e viteve duket sikur “bardhekuqtë” janë dobësuar disi, megjithatë është fakt që në gjithë sezonin 2017-18 skuadra e Simeones në Wanda Metropolitano u mund vetëm nga Espanyoli, ndërsa në edicionin e kaluar të kampionatit spanjoll humbjen e vetme në shtëpi “Los Colchoneros” e pësuan në derbin me Realin.
Në krahun tjetër ndryshe nga sezoni i kaluar skuadra e Ernesto Valverdes është shfaqur me probleme larg stadiumit Camp Nou.
Kështu në tre javët e para Barcelona u mund me Bilbaon dhe Granadën, ndërsa në Pamplonë kampionët në fuqi nuk morën dot më shumë se sa një barazim 2-2, gjithsesi shumë influencoi sigurisht edhe mungesa e yllit të ekipit Lionel Messi.
Me rikthimin e kapitenit në formacion si titullar Barça ka fituar 7 nga 8 sfidat e fundit në kampionat, periudhë ku Leo ka gjetur rrjetën plot tetë herë, duke u katapultuar drejt e në vendin e dytë, në listën e golashënuesve, me vetëm dy gola më pak se sa sulmuesi i Realit Karim Benzema. 32-vjeçari nga Rosario është rikthyer menjëherë në formën e tij më të mirë, për më tepër e përditëshmja sportive “El Mundo Deportivo” ka shkruar se sipas burimeve të saj Lionel Messi do të kurorëzohet me Topin e gjashtë të Artë në karrierë, duke u shpallur edhe si futbollisti më i mirë i vitit 2019.
Simeone nuk do të ketë në dispozicion emra të tillë si Diego Costa, Vrsaljko dhe Savic, ndërsa kolegu i tij Ernesto Valverde përveç dyshes Semedo-Dembele do të vuajë gjithashtu edhe skualifikimin e mesfushorit me përvojë Sergio Busquets. Në muajin e fundit Atletico ka fituar vetëm 1 nga 6 sfidat e fundit në të gjithë kompeticionet kështu që Simeones i nevojitet patjetër rezultat, për të përmirësuar pozitat e skuadrës, ndërsa ekipi katalanas nis një periudhë vërtet shumë të ngjeshur me kundërshtarë të vështirë si Inter, Sociedad apo dhe Real Madrid. Atletico ka fituar vetëm 3 nga 30 sfidat ndërmjet dy klubeve në dekadën e fundit, në të gjithë kompeticionet, gjithsesi dy përballjet më të fundit në Wanda Metropolitano janë mbyllur me shifrat e barabarta 1-1.
Ndeshja do të luhet në orën 21:00 dhe do të drejtohet nga 42-vjecari valencian Mateu Lahoz.























