Matuidi: Me Ronaldon bëmë shaka, për Francën ky është shans...
Me Cristiano Ronaldon në gjirin e saj Portugalia nuk mund të jetë kurrsesi thjesht një rival i vështirë.
I vetëdijshëm për forcën e ekipit të tij, Fernando Santos e ka marrë me sportivitet shortin e Bukureshtit dhe për grupin me Gjermaninë e Francën, ka deklaruar:
“Kisha një parandjenjë se ky mund të ishte grupi ynë. Mendova se mund të ndodhte dhe ndodhi. Nuk është për shkak të Gjermanisë dhe Francës që ne nuk jemi më kandidatë. Këto ekipe e njohin mirë njëri-tjetrin. Do të jetë një ndeshje midis tri skuadrave të shkëlqyera. Portugalia është e bindur se mund të luajë kundër çdo kundërshtari. Nuk është e lehtë të mposhtësh Portugalinë dhe ata e dine. Jo më kot jemi kampionët kontinentalë në fuqi”.
Disi më pak optimist Blez Matudi, që nga të gjithë francezët e njeh më mirë Ronaldon me të cilin ndan stërvitjet te Juventusi.
“Synimi është që të fitojmë grupin tonë ndaj nuk kemi nevojë të shohim se cilët janë rivalët. Nëse duam trofeun, do të nevojitet të përballim Europianin me të njëjtën mendësi që luajtëm në Botëororin rus. Do të jenë ndeshje niveli mes ekipesh që janë mësuar t’u shkojnë deri në fund këtyre kompeticioneve”, tha mesfushori duke komentuar shortin.
I pyetur mbi ndonjë bisedë me shokun e skuadrës së klubit, Matuidi deklaroi duke qeshur: “Kam pasur mundësi të bisedoj me Ronaldon sot (dje), por përpara se të hidhej shorti. Kemi bërë shaka se e dinim që mund të përfundonim në të njëjtin grup. Jemi të lumtur sepse do të kemi mundësi revanshi pas finales së Europianit të kaluar. Duke lënë mënjanë shakatë, receta për këto situata nuk ka, por do të duhet të luftojmë krah njëri-tjetrit e për njëri-tjetrin që në fazën e grupeve duke bërë maksimumin për t’u kualifikuar”.























