Roma thyen mbrojtjen “bunker” të Veronës dhe merr triumfin në “Bentegodi”
Roma ka marrë një tjetër sukses, këtë herë në transfertën e vështirë të “Bentegodit” ndaj Veronës, ku triumfoi me rezultatin 1-3 dhe u ngjit përkohësisht në vendin e katërt me 28 pikë në 14 javët e para të kampionatit.
Vendasit vinin në këtë takim me statusin e mbrojtjes më të mirë të kampionatit, me vetëm 11 gola të pësuar në 13 javët e para, por mbrëmjen e sotme u detyrua të nxjerrë 3 herë topin nga rrjeta.
Justin Kluivert zhbllokoi sfidën në minutën e 17’, pasi mori një asist të bukur nga Pellegrini dhe mposhti në shpejtësi Amir Rrahmanin e më pas portierin e Veronës. Megjithatë vendasit gjetën golin e barazimit vetëm 4 minuta më vonë, me anë të Diego Faraopnit.
Në minutën e 45-të pati një 11-metërsh për verdhekuqtë, të cilin e mori përsipër Diego Perotti, i futur në fushë për të zëvendësuar Kluivertin e dëmtuar dhe përballë portierit të Veronës nuk gaboi, duke rikthyer avantazhin te Roma.
Në minutat shtesë, kur Verona ishte hedhur në kërkim të golit që do t’i mundësonte shmangien e humbjes, kryeqytetasit ndërtuan një aksion mjaft të bukur dhe ishte armeni Mkhitaryan që shënoi edhe golin e tretë.
Ky sukses ngjit Romën në vendin e katërt me 28 pikë, dy më pak se Lazio e vendit të tretë, ndërsa javën e ardhshme Roma do të udhëtojë drejt Milanos, për t’u përballur me Interin mbrëmjen e të premtes në “San Siro”.























