Alonso “ndez” ‘El Clasicon’: Reali shumë i fortë, ja si ndalet Messi
Xabi Alonso ka qenë pjesë e Real Madrid në sezonet më të suksesshme të klubit në këtë mijëvjeçar të ri.
Mesfushori spanjoll ka folur për The Coaches Voice, aty ku ka analizuar lojën e tij te Real Madrid, Mesut Ozil dhe neutralizimin e Lionel Messit.
“Me Mourinhon unë luaja përkrah Khedires. Ai ishte shumë shpërthyes dhe vraponte, ndërsa unë isha më pozicional. Ozil ishte para nesh në rolin më të vështirë në futboll për mua. Turko-gjermani kishte shumë pak hapësira dhe duhet të vepronte shpejt. Kishte aftësi të jashtëzakonshme për të lëvizur shpejt dhe për të dërguar topin ku duhet”, tha ai.
“Reali kishte shumë energji dhe shpejtësi. Ne nuk bashkëpunonim shumë, por luanim shpejt. Unë e kisha të lehtë, pasi pasoja te Ronaldo dhe ai me cilësitë individuale bënte të veten. Kemi shënuar shumë gola dhe shumica nga hiçi”.
“Messi? Ai luante si numër 9 i fshehur. Në fillim nuk e kuptonim, ata pasonin te Xavi, më tërhiqnin mua pas vetes dhe Messi vinte pas meje duke krijuar hapësira për Villen, por dhe mbrojtjen tonë. Kur e kuptuam një strategji të tillë, nisëm të ndalnim furinë e tyre”, shpjegoi Alonso.























