Ylli i Cityt e pranon: Rrezikojmë mos kualifikimin në Champions
Fernandinho e pranon se Manchester City rrezikon të mos ia dalë ta mbyllë sezonin në top katërshe në Premierligë, që do të nënkuptonte mos kualifikim në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.
Skuadra e Pep Guardiolës, që luajti me 10 lojtarë, e lëshoi nga dora një epërsi prej dy golave dhe u mund 3:2 nga Wolves të premten. Si pasojë, City ngel në pozitën e tretë prapa Leicester City dhe liderit të Premierligës, Liverpoolit.
Pas disfatës, Guardiola e pranoi se mundësitë e City për ta fituar titullin për vitin e tretë radhazi, janë shumë të vogla, pasi Liverpooli tani ka krijuar një epërsi prej 14 pikëve në krye të ligës.
Mesfushori Fernandinho, i cili është detyruar të luajë si qendërmbrojtës këtë sezon për shkak të problemeve me lëndime në mbrojtjen e City, ka thënë se ai dhe bashkëlojtarët e tij duhet të jenë realistë.
“Duhet të jemi realistë. Nëse luajmë më shumë ndeshje në këtë mënyrë, dhe humbim më shumë ndeshje, do të jemi në pozitë të keqe, prandaj duhet të ecim përpara, të fitojmë dhe ta sigurojmë vendin e dytë”, tha ai, transmeton GE.
“Nuk mund ta dish kurrë se çfarë mund të ndodhë, ama pas kësaj humbjeje, do të jetë e vështirë sepse hendeku është shumë i madh. Duhet të jemi të sinqertë me veten dhe të gjithë; do të luftojmë për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm”, shtoi ai.























